Eden Hazard është njeriu i momentit në merkaton botërore, sepse Ronaldo u sistemua te Juventusi në pak ditë dhe Nejmar duket se nuk do të lëvizë nga PSG, ashtu si Mbape.
Për këtë arsye, Reali është bindur se belgu është njeriu i duhur për të përforcuar ndjeshëm fazën sulmuese dhe për të rikthyer entuziazmin te tifozët.
Madrilenët janë gati të marrin nga Çelsi edhe portierin Tibo Kurtua, por natyrisht do të jetë një odise e gjatë, sepse tashmë në garë për Hazard është futur fuqishëm edhe Barcelona.
Klubi blaugrana deri tani ka shpenzuar 67 milionë euro, për qendërmbrojtësin Lenglet dhe mesfushorin qendror Artur, por ndërkohë ka shitur Deulofeun dhe Paulinjon, duke e rikuperuar këtë shpenzim, si dhe i duhet të gjejë urgjentisht pasuesin e Iniestës.
Hazard është emri ideal për të ndërtuar një mesfushë spektakolare dhe Barça kërkon ta bindë Çelsin duke ofruar francezin Usman Dembele.
21-vjeçari doli “i humbur” nga Kupa e Botës, sepse vërtet u shpall kampion, por luajti shumë pak, ashtu si sezonin e shkuar te Barcelona, ndaj ndoshta është koha të ndryshojë ekip. Nëse Çelsi kërkon 220 milionë për yllin e vet, Barcelona shpreson ta bindë me Dembele dhe 100 milionë, raportojnë mediat në Spanjë.