Ernesto Valverde ishte shumë pranë shkarkimit, por Barcelona ka bërë prapaktheu në momentin e fundit. Josep Maria Bartomeu është një tip, të cilit nuk i pëlqen të marrë vendime në momente të nxehta.
Presidenti i ka dalë kundër të gjithëve që kërkonin “kokën” e trajnerit dhe e ka konfirmuar atë. Një bisede dypalëshe është zhvilluar mes tij dhe Valverdes, aty ku ky i fundit i ka premtuar se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga projekti dhe ndihet shumë i motivuar për sezonin e ri.
Nëse Valverde do të qëndrojë, largimet do të jenë në masë. Plot 9 futbollistë pritet të largojë Barcelona në verë! Kevin Prins Boateng dhe Xheison Murijo ishin në huazim dhe do të kthehen andej nga erdhën.
Mbrojtësit Vermalen dhe Pereirës i përfundon kontrata dhe për ta nuk do të ketë rinovim. Andre Gomes pritet të blihet nga Evertoni, ndërsa në merkato kanë përfunduar edhe dyshja Rafinja-Denis Suarez.
Por jo vetëm kaq. Cilesen është pranë Benfikës, pavarësisht se 12 milionë euro është diferenca mes ofertës së portugezëve dhe kërkesës katalanase. Edhe Umtiti pritet të largohet, ashtu si braziliani Kutinjo.