Bakajoko është një nga lojtarët e shumtë që Çelsi ka në huazim. Francezi e kaloi këtë vit të Milani dhe tani rikthehet në Londër. Me kuqezinjtë ka treguar se është një lojtar me shumë cilësi, përtej problemeve me Gatuzon dhe Açerbin. Rikthimi i tij te Çelsi mund ta ndihmojë ekipin londinez tani që UEFA i ka bllokuar merkaton.
Por qëndrimi i mesfushorit në ”Stamford Bridge” nuk është dhe aq i sigurt. Bakajokos i pëlqejnë shumë destinacione dhe nuk është i qartë për të ardhmen e tij. Shprehet se do të vazhdojë kontratën me Çelsin, por shton se do të ishte i lumtur të luante për PSG. I pëlqen të punojë me Konten dhe Alegrin.
“Kam kontratë 3-vjeçare, nuk kam zgjedhje. Fillimisht do të kthehem te Çelsi e më pas nuk e di se ç’do të ndodhë. Nuk mund të gënjej, do doja të luaja te PSG. Do të ishaq i lumtur të shkoja në Paris, pasi do të thotë shumë për mua dhe familjen time. Ne bëjmë të gjithë tifo për atë skuadër. Jam i lumtur për Leonardon, ai më ndihmoi të shkoj në Milano, ku arrita formën optimale. E respektoj atë dhe klubin e Milanit. Jam i bindur se do të bëjë një punë të mirë në Paris”, u shpreh Bakajoko.