Timue Bakajoko është padyshim njeriu i momentin në ekipin e Milanit. Francezi, u kontestua shumë në fillimet e tij dhe u pa si lojtar i panevojshëm për ekipin kuqezi, por forma e treguar në dy muajt e fundit, ka bërë që çdo tifoz i “djallit” të dashurohet pas tij.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për mediat në Itali, Bakajoko ka folur rreth formës së tij, të ardhmes si dhe klubit të Milanit. Mesfushori, duket se ka rënë në dashuri me ekipin kuqezi, teksa shprehet se ky klub, i përket një planeti tjetër. Gjithashtu, 24-vjeçari, ka folur dhe për marrëdhënien me trajnerin Gatuzo, të cilin duket se e vlerëson shumë.
FORMA – “Gjërat po shkojnë shumë mirë në këto momente, si për mua, ashtu dhe për klubin. Nuk ka lidhje pika e kthesës. Unë doja të tregoja se isha i mirë mjaftueshëm për një klub të madh si Milani, që është i një planeti tjetër.”
MILANI – “Në ditën e parë u përshëndeta me Maldinin dhe Leonardon. Kaq mjaftoi për të kuptuar se me çfarë klubi ke të bësh. Pastaj është atmosfera në San Siro, që është e jashtëzakonshme. Milani është një klub legjendë. Kush nuk do kishte dëshirë të qëndronte në një klub të tillë për një kohë të gjatë. Gjithsesi, nuk është e gjitha në dorën time për këtë pjesë”.
TRAJNERI – “Gatuzo ështe ai person që jep gjithçka për lojtarët e tij dhe trasmeton vetëm gjëra të mira. Është ashtu siç ka qenë në kohën kur ishte lojtar: i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë. Nuk gënjen dhe gjithnjë e mban fjalën. Edhe pse ndonjëherë nervozohet, ai gjithmonë thotë gjëra për të mirën tonë.”
JETESA NË MILANO – “Jeta në Milano është e bukur. Gati e kam ndërruar të gjithë garderopën time. Moti është i ngjashëm me jugun e Francës dhe këtu haet mirë. Është vendi ideal për të jetuar.”