Bajerni nuk është i kënaqur me punën e Niko Kovaç. Gjermanët nuk ngopen aspak me fitimin e dy trofeve si kupa dhe kampionati, por duan të bëjnë të tyren edhe Champions League, ose të paktën të jenë konkurues me ekipe si Barcelona apo Liverpuli. Skuadra e këtij viti nuk ka treguar aspak fuqi për ta bërë këtë dhe në Bavari ja vënë fajin trajnerit.
Sipas raportimeve të fundit nga Spanja, drejtori sportiv Hasan Salihamidzic ka zhvilluar një takim me Julen Lopetegu mbi një bashkëpunim të mundshëm. Spanjolli që në javët e para të sezonit është i papunë, pasi u shkarkua nga Reali i Madridit për rezultate të dobëta.
Bajerni i Mynihut është drejt fitimit të kampionatit gjerman dhe do të diskutojë finalen e kupës me Lajpcigun. Trofe këto që bavarezët e kanë bërë zakon t’i marrin çdo vit. Në Champions ata u eliminuan që në fazën e 1\8 nga Liverpuli, duke mos arritur të lënë gjurmë në këtë kompeticion. Në kampionat i është dashur të luftojë dhëmb për dhëmb me Borusian e Dortmundit, ndryshe nga vitet e kaluara, kur e fitonte titullin që në prill.