Bajerni i Mynihut ka reaguar ditën e sotme me anë të një deklarate për shtyp në lidhje me vendimin e bërë dje publik të Joakim Lëv për t’i mbyllur derën e kombëtares gjermane treshjes së baravezëve Myler, Mats Humels dhe Zherome Boateng.
Në komunikatën e nxjerrë sot nga klubi, drejtuesit e Bajernit thonë se nuk mund të ndërhyjnë te zgjedhjet e trajnerit të kombëtares, por ata kanë ngelur të çuditur dhe të irrituar për kohën dhe rrethanat në të cilat është bërë i ditur ky lajme për lojtarët dhe publikun e gjërë.
DEKLARATA E PLOTË E KLUBIT TË BAJERNIT
Trajneri i skuadrës kombëtare Joakim Lëv ka vendosur të mos marrë më në konsideratë për të ardhmen lojtarët tanë Tomas Myler, Mats Humels dhe Zherome Boateng. Në parim, ne nuk komentojmë vendimet e trajnerit të kombëtares, e drejta e përzgjedhjes së lojtarëve është përgjegësi vetëm e Joakim Lëv.
Gjithsesi, ne e konsiderojmë kohën dhe rrethanat e lajmërimit të këtij vendimi për lojtarët dhe publikut shumë të çuditshme. Ndeshja e fundit e kombëtares gjermane ishte më datë 19 nëntor. Fakti që lojtarët tanë u informuan për këtë vetëm pak ditë para dy ndeshjeve të rëndësishme ndaj Volfsburgut dhe Liverpulit, na irriton. U surprizuam kur pamë drejtorin e kombëtares Bierhof dhe trajnerin Lëv në kompleksin tonë stërvitor ditën e djeshme.
Tomas Myler (100 ndeshje me kombëtaren), Mats Humels (70 ndeshje me kombëtaren) dhe Zherom Boateng (76 ndeshje me kombëtaren) kanë luajtur së bashku 246 ndeshje me Gjermaninë, ata kanë qenë kontribuar në një ndër dekadat më të suksesshme të kombëtares sonë, që kulm pati fitoren e titullit kampion bote në 2014-ën. Klubi i Bajernit të Mynihut ka respektin më të madh për të gjitha meritat sportive të Tomasit, Matsit dhe Zheromit në kombëtare dhe futbollin gjerman.
Karl-Hainc Rumenige (Drejtor Ekzekutiv) & Hasan Salihamixhiç (Drejtor Sportiv)