Milani nuk humbi vetëm dy pikë në barazimin pa gola ndaj Bolonjës. Kuqezinjve të Gatuzos do i duhet të bëjnë pa dyshen e mesfushës “Kesie-Bakajoko” në ndeshjen e së shtunës kundër Fiorentinës. Francezi u ndëshkua me të kuqe, ndërsa lojtari nga Bregu i Fildishtë grumbulloi kartonin e katërt të verdhë për këtë sezon.
“Do më duhet të shoh nga stoli dhe të shpik diçka. Nuk mund ta quajmë veten të mundur pa zbritur akoma në fushë”, tha Gatuzo kur u pyet për planin pas pezullimit të dy mesfushorëve.
Shpëtimi i vetëm për Milanin mund të jetë veterani Rikardo Montolivo dhe italiani tjetër Andrea Bertolaçi. Të dy mesfushorët nuk janë aktivizuar në asnjë ndeshje të Serie A deri më tani dhe një pjesë e tifozëve të Milanit e kanë harruar se ata janë ende pjesë e skuadrës. Një tjetër opsion për mesfushën është dhe 22-vjeçari Zhoze Mauri.
Një gjë e përbashkët e tre emrave të lartpërmendur, është se kontrata e tyre mbaron në fund të ketij sezoni. Tani lojtarët e dalë jashtë planeve të skuadrës kanë për detyrë të tregojnë se janë profesionistë dhe një paraqitje e mirë ndaj Fiorentinës do të linte një shije të mirë te tifozët, të cilët për momentin i shohin me skepticizëm emrat e tyre.