Kombëtarja e Argjeninës do të luajë me 20 nëntor një sfidë miqësore ndaj përfaqësueses së Meksikës. Në prag të kësaj sfide, trajneri Luis Skaloni ka bërë të ditur listën e të grumbulluarve, ku Leo Mesi duket se nuk do të jetë pjesë sërish, pasi shumica dërrmuese janë lojtarë të rinj, të cilët do të provohen në këtë test miqësor.
Ajo që bie në sy është se sulmi është i dendur me lojtarë nga Seria A, ku më shumë se gjysma e sulmuesve në listë aktivizohen në Itali. Dyshja argjentinase e sulmit të Inter, Lautaro Martinez dhe Mauro Ikardi janë përsëri pjesë e kombëtares. Ndërkohë, Xhovani Simeone, Rodrigo De Paul dhe i përhershmi Dibala plotësojnë lojtarët e Serisë A që janë në sulm.
Risia në listën e publikuar është talenti 20 vjeçar i Rasing, Matias Zarako. Mesfushori po bën një sezon fantastik me kryesuesit e kampionatit argjentinas dhe merr kështu thirrjen e parë në kombëtaren e vendit të tij. Gjithashtu bie në sy mungesa e Gonzalo Higuain. Erik Lamela nga ana tjetër grumbullohet pas shumë kohësh në kombëtare, pas paraqitjeve të mira me Totenhem.