Elseid Hysaj vuajti jo pak te Napoli pas ardhjes së Karlo Ançelotit. Trajneri italian shpesh herë e la në stol mbrojtësin shqiptar duke i besuar serbit Nikola Maksimoviç ose francezit Kevin Malkyit.
Megjithatë, viti 2019 ka ndryshuar krejtësisht raportin mes lojtarit dhe trajnerit. Hysaj është kthyer në të luajë si titullar te Napoli, duke fituar plotësisht besimin e trajnerit të njohur.
Me rregullimin e raportit mes të dyve hapi i radhës është rinovimi i kontratës. Marrëveshja aktuale midis Hysajt dhe klubit italian mbaron në vitin 2021, por sipas “Corriere dello Sport”, te Napoli kanë filluar negociatat e para për rinovimin e kontratës.
Kjo lëvizje vjen me miratimin e vetë trajnerit Karlo Ançeloti. Në javën në vazhdim drejtuesit e Napolit do të ulen në tavolinë me agjentin e lojtarit shqiptar për të parashtruar ofertën e tyre dhe për të dëgjuar kërkesat e futbollistit.