Akordi me Matijs De Ligt është arritur, por Juventusi nuk dëshiron të ndalet në merkato. 80 milionë euro (67 në dorë dhe 13 në formë bonusesh lehtësisht të arritshme) do të paguajnë bardhezinjtë tek Ajaksi, ndërsa qendërmbrojtësin e pret një kontratë 5-vjeçare me një rrogë vjetore prej 12 milionë eurosh (7.5 kesh dhe 4.5 në formë bonusesh).
Një goditje e madhe e kampionëve të Italisë, të cilët përforcojnë repartin e mbrojtjes me 19-vjeçarin e talentuar. Megjithatë, drejtuesit e “Zonjës” kanë një tjetër mision: Pol Pogba.
Mesfushori e ka bërë të qartë dëshirën e tij për t’u larguar nga Mançester Junajtid dhe e ardhmja është mes Juventusit dhe Real Madrid. Sipas raportimeve të “AS”, francezi ka ish-klubin e tij si zgjedhje të parë.
Katër sezone (2012-2016) qëndroi Pol Pogba në Torinon bardhezi, aty ku po insiston të rikthehet përsëri. Pogba ka biseduar në telefon me Mauricio Sarrin dhe ia ka bërë të qartë trajnerit të ri dëshirën për të luajtur nën urdhrat e tij. Junajtid kërkon 150 milionë euro për kartonin e 26-vjeçarit dhe klubi anglez as që ka ndërmend të zbusë sadopak kërkesat e saj.