Fidan Aliti e ka mbyllur me Kategorinë Superiore. Pas një viti e gjysmë te Skënderbeu, mbrojtësi është transferuar te skuadra suedeze e Kalmarit, ku ka firmosur për katër vite. Në emisionin “Gol pas Goli”, mëngjarashi zbuloi se ishte pranë transferimit te “gjiganti” suedez Malmo.
“Të them të drejtën ishte një vit shumë i rëndësishëm për mua. Menaxheri im Shkumbin Qormemeti më ka bindur të shkoj te Skënderbeu. Falënderoj atë dhe presidentin Ardian Takaj që ka bërë shumë për të gjithë futbollin shqiptar, Skënderbeun dhe Korçën”.
“Të them të drejtën, para pak ditësh isha shumë afër transferimit te Malmo, por më pas folëm me drejtorin e Kalmarit. Unë e shoh shumë të rëndësishme që të jem pjesë kryesore e ekipit, prandaj vendosa të vij te Kalmari. E shoh këtë kalim si një trampolinë për të ardhmen”.
“Nuk kam folur me Etrit Berishën, por kam biseduar me ish-trajnerin e Kosovës Albert Bunjakin, i cili më parë ka qenë në postin e asistentit te Kalmari. Ai më foli shumë mirë për këtë ekip”.
“Çdo lojtar e ka ëndërruar largimin në momente të mira. E di që nuk është në një moment shumë të mirë, por jam shumë i sigurt se çunat do të rikthehen më të fortë”.
“Ngjarja në Fushë-Krujë? Nuk dua të flas për detaje. Është gjynah për sportin e për futbollin që të flas për ato gjëra që kanë ndodhur. Aty ishin policë që u larguan. Lojtarë si Radas dhe Vangjeli kanë bërë shumë për futbollin shqiptar dhe nuk e meritonin të trajtoheshin ashtu”, përfundoi Aliti.