Superiorja gradualisht po shkon drejt fundit dhe presioni tek ekipet sa vjen e shtohet, pasi ndeshjet në vijim vendosin shumë sa i takon objektivave sezonalë. Kamza kërkon mbijetesën, por renditet në vendin e fundit në tabelën e klasifikimit. Sot është dita e duhur për të parakaluar Kastriotin, por duhet të mundë Laçin në shtëpi.
Kurbinasit kanë treguar se me ekipet e poshtme në klasifikim kanë probleme. Një javë më parë barazuan me Kamzën, ndërkohë që Luftëtari e ka mundur në shtëpi ekipin e Besnik Prengës. Fazën e parë në Kamzë fitoi vetëm në limite, falë një goli të Ndriçim Shtubinës. Edhe sot do tre pikët, pasi Teuta sërish është ndalur. Një fitore do e çonte në dy pikë diferencën me durrsakët e vendit të tretë.
Kategoria Superiore – Java 24
E diel, më 3 mars 2019
Kamza-Laçi (Ora 14:00)
Kamza: Avdyli, Shala, Qaqi, Bitri, Bonani, Rezi, Malaj, Arrabal, Zisi, Plaku, Martinena. Trajner: Gentian Stojku
Laçi: Selmani, Fangaj, Toro, Gjoni, Sefgjini, Eller, Jonuzi, Najdenov, Çokaj, Xhixha, Shtubina. Trajner: Besnik Prenga
Gjyqtarë: Eldorjan Hamiti, Rudin Preça, Ani Koçiaj, Olsi Sokoli
Delegat: Millan Baçi; Vëzhgues: Idriz Gashi
Në Vlorë Flamurtari ende shpreson Europën dhe vendi i tretë është 6 pikë larg. Kjo diferencë mund të shkojë në tre pikë, mjafton që sot kuqezinjtë të mundin Kastriotin. Skuadra e drejtuar nga Bledar Devolli po kalon një moment të mirë dhe do kërkojë të dalë me pikë nga kjo transfertë. Humbja e Luftëtarit dje u jep shpresë për mbijetesën dhe krutanët duan të provojnë deri në fund. Viti 2019 ka nisur mirë për ta, pasi kanë marrë 10 pikë në 5 ndeshjet e para.
GJYQTARËT – Për dy ndeshjet e sotme Sektori i Gjyqtarëve në FSHF ka vendosur të dërgojë gjyqtarë të FIFA-s, pasi luhen ndeshje të rëndësishme për objektivat e të katër klubeve. Synohet që rezultati të prodhohet nga fusha dhe është marrë ky vendim, që më pas të mos ketë kontestime.
Kështu, në takimin mes Kamzës dhe Laçit do të jetë Eldorian Hamiti ai që do të vërë drejtësi. Rudin Preça dhe Ani Koçiaj janë asistentë të tij, kurse Olsi Sokoli arbitër i katërt. Në Vlorë i përzgjedhur është Juxhin Xhaja. Arbitri nga kryeqyteti ishte të premten në derbi gjyqtar linje, kurse sot do të gjykojë Flamurtari-Kastrioti. Orgest Grabova dhe Devis Korresi janë asistentët e kësaj përballjeje, kurse i katërt është Olsid Ferataj.
Flamurtari-Kastrioti (Ora 17:00)
Flamurtari: Koliçi, Deliaj, Pollozhani, Veliu, Kotobelli, Batha, Mustafa, Rrapaj, Musta, Kale, Sukaj. Trajner: Ilir Daja
Kastrioti: Çekrezi, Husein, Shehi, Çela, Ndreca, Ymeraj, Marku, Kalaja, Roxher, Bardhi, Vatnikaj. Trajner: Bledar Devolli
Gjyqtarë: Juxhin Xhaja, Orgest Grabova, Devis Korreshi, Olsid Ferataj
Delegat: Uvil Zajmi; Vëzhgues: Mikel Shestani