Nejmar duket se e ka mbyllur me PSG. Braziliani me gjestet e tij lë të kuptohet se çdo marrëdhënie është thyer dhe pritet vetëm largimi. Katalanasja “Sport” raporton se Barcelona dhe PSG kanë arritur një marrëveshje paraprake për zbarkimin e 27-vjeçarit në Barcelonë.
Bëhet fjalë për një huazim njëvjeçar me detyrim blerje verën e ardhshme nga spanjollët. Barça e ka gati të pamundur të ofrojë para në dorë këtë verë sepse ka një bilanc shumë negativ. PSG nuk e mban dot më Nejmar në ekip dhe është e detyruar të negociojë me Barçën për të transferuar yllin seleçao.
Nejmar do e lërë PSG pas vetëm dy vitesh të kaluara mes kalvarit të dëmtimeve e polemikave të panumërta. Që me arritjen në Paris, ai nuk ka gjetur asnjë fije lumturie dhe tani duket se është mbushur kupa.