Idriz Batha zgjodhi të vijonte karrierën në Kategorinë Superiore te Tirana. Në një intervistë për “RTSH Sport”, mesfushori gjirokastrit ka folur mbi përshtatjen me ekipin e ri, prurjet e merkatos së verës dhe statusin e veçantë që ai do ketë në një ndeshje derbi si një ish-kapiten i Partizanit.
DITËT E PARA TE TIRANA – “Të them të drejtën u ambientova shumë shpejt. Më duket sikur kam kohë te ky ekip. Disa prej çunave i kam dhe shokë jashtë fushe. I falënderoj të gjithë për mbështetjen që më kanë dhënë”, thotë fillimisht mesfushori.
MERKATO – “Mendoj se të gjitha blerjet janë të goditura. Janë blerjet më të mira të mundshme përsa i përket kampionatit shqiptar. Kam shumë besim te lojtarët që kanë ardhur. Të gjithë duhet të japim maksimumin për të çuar Tiranën atje ku e meriton. Shpresojmë t’ia arrijmë”.
Keni festuar në derbi kur ishin pjesë e Partizanit, po nëse shënoni me Tiranën do festoni?
“Ma kanë bërë dhe një herë tjetër këtë pyetje. Të jem i sinqertë nga këtu, mund të mendoj shumë gjëra, por në fushë të tjera gjëra i ndjen, sepse janë emocionet ato që të shtyjnë shumë gjëra që nuk i ke menduar. Gjithsesi unë shpresoj të shënojmë njëherë, më pas për të festuar e zgjedhim vetë”.
RAPORTI ME TIFOZËT –“Që të më duan tifozët, unë e kam shumë të thjeshtë, pasi më duhet të jap maksimumin për fanellën e Tiranës. – Druajtje për derbin? Jo nuk druhem aspak. Unë njihem si karakter që mezi i pres këto ndeshje.