Juventusi ka një kontingjent të pasur lojtarësh. Reparte të “blinduara”, madje shumë të populluara. Diçka e tillë mund të kthehet në problem në të ardhmen, pasi nuk mund të luajnë të gjithë.
Sulmi është i përbërë nga shumë emra të mëdhenj, por njëri do të largohet. Gonzalo Higuain ka qenë kandidati kryesor gjatë kësaj periudhe, por bardhezinjtë nuk duan ta “falin” argjentinasin.
Dëshira e tij e madhe për të qëndruar dhe për të treguar se vlen e ka bindur Sarrin t’i japë një shans. Goli i djeshëm kundër Totenhemit tregoi se Pipita nuk i ka humbur reflekset e “vrasësit” brenda zonës.
E nëse për Higuain rriten shanset e qëndrimit, ai që mund të përgatisë valixhet është Paulo Dibala. PSG dhe Mançester Junajtid janë dy klubet e interesuara për 25-vjeçarin sipas Corriere dello Sport.
Për të nisur bisedimet me Juven nevojiten të paktën 80 milionë euro. Një shumë që nuk është aspak problem për dy klubet. PSG është pranë shitjes së Nejmar dhe e sheh Dibala si pasardhësin e tij.
Edhe Junajtid pritet të shesë Lukakun dhe Pogba, ndërsa Solskjaer e pëlqen shumë fantazistin e Juventusit. Dibala është akoma me pushime dhe gjithçka do të sqarohet kur t’i bashkohet ekipit. Ai do të bisedojë me Mauricio Sarrin për të kuptuar më shumë idenë e tij të lojës dhe faktin nëse beson te kualiteti i “La Joya”.