Romelu Lukaku është dëshira e madhe e Interit dhe Antonio Kontes. Edhe sulmuesi belg kërkon transferimin në Milanon zikaltër, por Mançester Junajtid kërkon 83 milionë euro për kartonin e tij.
Një shumë e tillë cilësohet e lartë nga drejtuesit e Interit, të cilët nuk duan të shpenzojnë më shumë se 65 milionë euro për 25-vjeçarin. “Djajtë e kuq” nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre dhe Interi po mendon një sulmues tjetër.
Corriere dello Sport raporton se ideja e fundit quhet Edinson Kavani. 32-vjeçari ka edhe një vit kontratë me PSG-në, por problem mbetet paga e lartë. Bomberi uruguaian përfiton 12 milionë euro në sezon, ndërsa zikaltrit shkojnë deri në 9 të tilla.
Marota po tenton të nisë negociatat me “El Matador” dhe kampionët e Francës. Për të tentuar një marrëveshje me ta dhe për t’i bërë “presion” Junajtid që të ulë kërkesat në lidhje me Lukakun.
Duvan Zapata është një tjetër emër që pëlqehet, por kërkesa prej 60 milionë eurosh e Atalantës cilësohet e tepruar nga drejtuesit e klubit nga Milano.