PSG i ka ofruar Nejmarin Realit të Madridit. Dëshira e brazilianit është të kthehet në Barcelonë dhe ka gati një muaj që insiston në klubin francez për të plotësuar këtë kërkesë. Megjithatë, kthimi i 27-vjeçarit sa vjen e ndërlikohet më shumë. Marrëdhëniet mes Al Kelaifit dhe drejtuesve të Barçës janë “të ndera”.
Negociatat e katalanasve me lojtarët nën kontratë të PSG dhe ikja e dhimbshme e Nejmar dy vite më parë ka sjellë një prishje totale të marrëdhënieve. Ardhja e Leonardos u duk se i zbuti pak marrëdhëniet, por ka ende mllef të grumbulluar nga të dyja palët. E gjithë kjo sjell kundërshtimin e klubit francez për të shitur Nejmar në Barcelonë.
Spanjollja “AS” pretendon se drejtuesit e PSG e kanë propozuar kanditaturën e Nejmar në “Santiago Bernabeu”. Të dy klubet gëzojnë një raport shumë korrekt. Megjithatë, Nejmar nuk është prioritet në Madrid. Skuadra është e mbipopulluar me lojtarë ofensivë dhe synimi primar i Florentino Perez është të shesë.
Shitja përfundimtare e Bejl për një shifër të volitshme do të shtonte shancet që Reali të kërkonte Nejmar. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse braziliani do të guxonte të tradhëtonte tifozët dhe shokët e tij në klubin katalanas.