Nga skuadra e Kukësit, u largua në fund të sezonit sulmuesi Rexhinaldo, i cili ka lënë një boshllëk të madh në këtë repart. Verilindorët janë në tratativa për të gjetur pasuesin e sulmuesit mozambikas, por ndërkohë, skuadrës i është bashkuar braziliani Roxher.
Ky i fundit luajti si i huazuar sezonin e fundit te skuadra e Kastriotit, ku bëri një sezon të shkëlqyer dhe ishte një nga lojtarët më të mirë në Superiore. Për momentin, Roxher është futbollist i Kukësit dhe ka vazhduar seancat stërvitore si pjesë e grupit. Ai shikohet si pasuesi i Uilliam Kordeiro, brazilianit tjetër që i është bashkuar Partizanit.
Një tjetër futbollist që i është bashkuar verilindorëve është 18-vjeçari Kledis Hida. Mbrojtësi i lindur në Elbasan është pjesë e Kombëtares U19 dhe mësohet se është në provë te skuadra e Kukësit. Sezonin e fundit ai është aktivizuar shpesh si titullar me verdheblutë në Kategorinë e Parë.