Ndriçim Shtubina ishte një nga pikat më të forta të Laçit në sezonin e fundit. Shkodrani shënoi 10 gola me bardhezinjtë, një shifër rekord për anësorin që iu pa të luante edhe në majë të sulmit. Së fundmi ai ka dhënë një intervistë për “Shkodra Sport” dhe gjithashtu është i mendimit se sezoni i fundit ishte më i miri për të në Superiore. Gjithashtu Shtubina flet edhe për të ardhmen.
LAÇI – “Besoj se po, pasi kam zhvilluar një sezon të mirë, si me gola, ashtu edhe ndeshje të luajtura. Kam ndërruar shume role në loje e kjo është diçka pozitive. Ndihem shumë mirë këtu te Laçi, sepse më përshtatet çdo gjë. Në futboll ndodh çdo gjë dhe ende nuk mund ta them me siguri nëse do të jem edhe sezonin e ri tek Laçi apo jo. Deri pas ndeshjeve të Kupave të Europës është e sigurt se do të jem pjesë e Laçit. Pas ndeshjeve europiane do flas me presidentin, por dëshira ime është të rri këtu edhe sezonin e ardhshëm”, është shprehur Shtubina.
VLLAZNIA – Ai ka folur edhe për skuadrën e qytetit të tij, Vllazninë. “Nuk mund ta shikoja Vllazninë duke luajtur në Kategorinë e Pare, sepse nuk i shkon kësaj skuadre. Besoj që Vllaznia ka ‘zënë mend’ nga gabimet dhe s’besoj që të jetë më në këtë gjendje”, shprehet Shtubina, i cili nuk e përjashton mundësinë e rikthimit te kuqeblutë.
“Pas ndeshjeve europiane do të isha i gatshëm të flisja me drejtuesit e Vllaznisë. Ia kam borxh një gjë të tillë, sepse falë Vllaznisë jam ky që jam sot. Tek kjo skuadër jam rritur, atje mësova çdo gjë nga futbolli”, shtoi anësori i krahut të djathtë.
RECETA – “Mendimi im është që të ruhet grupi dhe me disa blerje të lojtarëve cilësore që të ketë konkurrencë në ekip, në mënyrë që asnjëri mos ta ketë vendin e sigurt në formacion. Kështu besoj që skuadra do jetë më e fortë. Besoj se diçka do ndryshoje, sepse e thashë se drejtuesit do të kenë nxjerrë mësimet e duhura dhe do ta kenë kuptuar se ku kanë qenë gabimet që çuan në rënien e skuadrës nga Superliga”, përfundoi Shtubina.