Klaudio Lotito ka konfirmuar lajmin e rinovimit me Simone Inzagin. Trajneri pati një takim mbrëmjen e kaluar me presidentin dhe Igli Taren, aty ku erdhi edhe rinovimi deri në vitin 2021, me një rritje rrogë në 2 milionë euro në sezon.
“Kemi rinovuar kontratën me trajnerin. Nuk u shqetësova kurrë, pasi e njoh mirë Inzagin dhe ne jemi një familje e madhe. Raporti jonë shkon përtej anës profesionale dhe do të vazhdojmë së bashku. Nuk kemi hezituar aspak në këtë pikë”, thekson presidenti i Lacios.
Lotito ndalet edhe te situata e Sergej Milinkoviç-Saviç. Serbi nuk zhvilloi një sezon pozitiv, por e mbylli me një gol në finalen e kupës së fituar përballë Atalantës. Vjet u refuzua çdo ofertë për të, ndërsa sivjet ndryshon gjithçka. Në fund edhe konfirmimi për Çiro Imobilen. Sulmuesi kryesor ka hasur vështirësi, por kualiteti i tij nuk është vënë kurrë në dyshim.
“Vitin e kaluar refuzuam të gjitha ofertat për lojtarët tanë. Sivjet do të bëjmë atë që është e nevojshme, në mënyrë që lojtarët të kenë stimujt e duhur për të qëndruar me ne. Imobile? Nuk e kemi vënë kurrë në diskutim. Ka shënuar një numër golash për t’u respektuar. Vitin e kaluar shënoi shumë dhe ishte kandidat për ‘Këpucën e Artë’, sivjet kishte një rënie. Çiro mbetet një lojtar me vlera dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e Lacios”, përfundon Klaudio Lotito.