Futbolli mund të të realizojë edhe ëndrrat më të pamundura. Liverpuli festoi këtë sezon fitimin e Champions Ligës për herë të gjashtë në histori. Më mirë se të kuqtë kanë bërë vetëm Reali i Madridit dhe Milani.
Endrju Robertson përjetoi një mbrëmje të veçantë, ndërsa historia e tij është e pabesueshme. 25-vjeçari i krahut të majtë të mbrojtjes është ndër më të mirët në Europë për rolin e tij.
Tifozët e adhurojnë, ndërsa kopi i Liverpulit i ka kushtuar një kor. Robertson është dhe kapiteni i Skocisë. Vjet dështoi të triumfonte në finalen përballë Realit, por këtë vit ia doli të ngjitej në majë bashkë më shokët e tij.
E çuditshme se si të merr rrjedha e jetës, pasi skocezi ishte pranë lënies së futbollit në moshën 18-vjeçare. Një provë te Sëlltiku shkoi keq dhe mbrojtësi, totalisht i dëshpëruar, shkruante këto fjalë në rrjetet sociale atëherë.
“Jeta pa para në këtë moshë ta shpif. Kam nevojë për një punë”, shkruante skocezi në Twitter. Ishte viti 2012, por puna e përditshme dhe sakrificat e mëdha të shpërblejnë gjithmonë. Në një moment ishte gati t’i jepte fund dhe mungesa e parave po i “nxinte jetën”.
Për fat nuk hoqi dorë dhe sot ka gjithçka. Paratë janë me shumicë, karriera po shkon për mrekulli, është një pikë e fortë e një prej klubeve më të mëdha në botë dhe arriti të fitonte Champions Ligën. Ja pse nuk duhet të dorëzohemi kurrë, as atëherë kur gjithçka shkon keq.