Një ndër objektivat primarë të Mançester Sitit dhe Pep Guardiolës këtë merkato është Bruno Fernandes. Lideri i Sportingut të Lisbonës kërkohet me ngulm nga “Citizens”, të cilët i kanë nisur prej kohësh bisedimet.
Një natë më parë, ekipi nga Lisbona triumfoi në finalen e Kupës ndaj Portos, duke ngritur trofeun pas triumfit nga “ruleta ruse” e 11-metërshave. Pas festës futbollistët folën për mediat, ku deklarata që ra më shumë në sy, ishte ajo e Kire Ristovskit, i cili foli pikërisht për largimin e mundshëm të Bruno Fernandes.
“Duhet të qëndrojë me ne edhe sezonin e ardhshëm, ndryshe jemi të mbaruar!”, deklaroi mbrojtësi, me Fernandes që e kaloi me të qeshura të gjithë situatën. Tashmë pritet me interes se si do të shkojnë bisedimet mes klubeve, teksa javën e shkuar ishte përfolur për një akord mes Sitit dhe Sportingut për gati 50 milionë euro.