Mbretërimit të skenës futbollistike nga Leo Mesi dhe Kristiano Ronaldo dalëngadalë po i vjen fundi. Dy “mitet” e këtyre 15 viteve të fundit e kanë dominuar futbollin gjithë këto kohë. Por çdo gjë e ka një fund. Mosha e tyre i ka kaluar të 30-tat dhe nuk premton shumë. Futbolli do këmbë të forta dhe mendje të freskët, diçka që e ofrojnë vetëm talentet e rinj që po dalin me shumicë dhe pritet të marrin në zotërim skenën pas tërheqjes së dhimbshme të Leos e Kristianos.
“ESPN” ka bërë një sondazh se kush janë lojtarët U-21 më të mirë të momentit. Votat e marra nga publiku janë kombinuar me opinionin e ekpspertëve të kësaj medie dhe kanë dalë në një përfundim. Tre vendet e para janë zënë nga Kilian Mbape, Xhejdon Sanço dhe Matijs De Ligt.
Francezi është golashënuesi i dytë në Evropë pas Mesit dhe e ka vendosur emrin e tij si një element potencial për të tashmen dhe për të ardhmen e futbollit.
Xhejdon Sanço është thesari i Dortmundit. Anësori 19-vjeçar është një nga më të mirët në qarkullim në pozicionin e tij dhe ka shifra të frikshme si në gola dhe në asistime. Vlera e tij në merkato kap 114 milonë euro.
Matijs De Ligt është fituesi në fuqi i çmimit “Golden Boy”. Një nga kapitenët më të rinj në histori. Mbrojtës klasi dhe një lider i lindur. Vetëm 19-vjeç.
Lista e dhjetë lojtarëve më të mirë U-21 sipas “ESPN”:
- Kilian Mbape, PSG, Francë
- Xhejdon Sanço, Borusia Dortmund, Angli
- Matijs De Ligt, Ajaks, Holandë
- Trent Aleksandër-Arnold, Liverpul, Angli
- Kai Havertz, Bajer Leverkusen, Gjermani
- Vinisius Zhunior, Real Madrid, Brazil
- Frenki De Jong, Ajaks, Holandë
- Xhanluixhi Donaruma, Milan, Itali
- Markus Rashford, Mançester Junajtid, Angli
- Luka Joviç, Ajntraht Frankfurt, Serbi