Edhe pse deklarata zyrtare nuk ka dhe drejtuesit presin fundin e sezonit, tashmë është gjithnjë e më e qartë se trajneri Luçiano Spaleti do të largohet nga Interi.
Është Antonio Konte emri i përzgjedhur për stolin dhe ish-trajneri i kombëtares italiane ka arritur marrëveshjen me drejtuesit zikaltër, raporton gazetari i Sky Sport, Xhanluka Di Marcio.
Mungon firma, sepse nuk lejohet ende, por marrëveshja është arritur dhe do të zyrtarizohet sapo të përfundojë kampionati.
Bëhet fjalë për një kontratë 4-vjeçare, ndërsa vendimtar ka qenë Bepe Marota, i cili e ka bindur ish-trajnerin e Juventusit që të bëhet pjesë e një projekti ambicioz për të rrëzuar Juven nga froni.
Natyrisht, është një ndryshim me pasoja, sepse largimi i Spaletit dhe stafit të tij kushton rreth 30 milionë euro, ashtu si do të kushtojë edhe Konte.