Një nga blerjet më të goditura të Juventusit në merkaton e verës së kaluar është Zhoao Kanselo. Mbrojtësi i talentuar para se të kalonte te “Zonja”, vinte nga një periudhë gjashtë mujore e kaluar me Interin në huazim nga Valencia. Pasi u kthye në Mestalla ai u ble për 40 milionë euro nga torinezët. Portugezi do të ritakohet me Interin pas dy ditësh për t’u ndeshur në llogari të Serie A.
Gjatë një interviste për mediat vendase para kësaj sfide të veçantë për të, Kanselo thumboi Interin. Ai u shpreh se i falenderon zikaltrit, pasi falë tyre tashmë është te Juventusi dhe luan me më të mirët në Botë.
“Kur erdha te Interi nuk ishte e lehtë. Në Spanjë përqëndrohen te teknika, ndërsa në Itali i kushtojnë rëndësi taktikës. Trajneri Spaleti më ndihmoi shumë. Ato gjashtë muaj në Milano ishin ishin shumë të rëndësishme, pasi më ndihmuan të arrija Juventusin. Jemi ekipi më i mirë në Itali dhe kemi një nga trajnerët më të mirë në Botë. Këtë sezon jam përmirësuar shumë sepse po stërvitem me disa nga lojtarët më të mirë në qarkullim”, përfundoi ylli portugez.