Zhoze Murinjo ka gjetur një mënyrë perfekte për të kaluar kohën tani që është pa ekip. Portugezi po punon prej disa muajsh si analist për “Russia Today”, ku jep mendimet e tij për tema të ndryshme në lidhje me futbollin.
Në një prej emisioneve të fundit, ai analizoi humbjen 3 – 0 të Mançester Junajtid ndaj Barcelonës në “Camp Nou”.
“Mendoj se në takimin e parë Junajtid u mundua të bllokonin me sa më shumë lojtarë pjesën qendrore të fushës. Të gjithë e dimë se si luanin Mesi dhe ku pëlqen të qëndrojë, por është e pamundur ta neutralizosh atë. Siç e thashë në takimin e parë, sa herë që Mesi futej brenda në zonë ai kishte përpara vetes mesfushorë si Fred e Mektominej për të mos përmendur mbrojtësit. Në ndeshjen e dytë strategjia e Junajtid ishte ndryshe”.
“Vetëm Fred ishte i vendosur para mbrojtjes. Ai është vendi ku Mesi merr shpesh topin. Nëse topi përfundon në këmbët e tij në situata një kundër një, je i vdekur. Për këtë arsye nuk kam preferuar kurrë ta markoj Mesin një për një. Për atë të duhet të ndërtosh një kafaz. Në fund Barcelona është një skuadër më e mirë se Mançester Junajtid dhe është normale që fituan”, përfundoi Murinjo.