Sulmuesi i talentuar i Milanit, Patrik Kutrone, ka folur për “SkySport” para ndeshjes kundër Parmës, ku foli për ndeshjet e mbetura të kuqezinjve, marrëdhëniet me Gatuzon dhe me Piatek, si dhe për minutat e munguara këtë sezon. Në fjalën e tij, Kutrone tha:
“Parma? Një ndeshje shumë e rëndësishme sa i takon vendit të katërt, që është objektivi ynë. Ne duam të kualifikohemi në Champions League me të gjitha mënyrat. Janë edhe gjashtë ndeshje deri në fund të sezonit dhe për ne, janë të gjitha finale. Fitorja kundër Lacios na ndihmoi shumë, si nga pikët, ashtu dhe nga ana morale, pasi mposhtëm një skuadër shumë të fortë.
Piatek? Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me të, si brenda, ashtu dhe jashtë fushave. E kemi treguar që mund të luajmë së bashku. Është normale që dhe unë dua të luaj, çdo lojtar preferon ta nisë takimin nga minuta e parë. Megjithatë, unë duhet të bind fillimisht trajnerin. Jam i fokusuar në maksimum që të jap gjithçka për Milanin dhe kjo ka qenë gjithmonë ajo që kam menduar: Milani në fillim, unë në plan të dytë. Kjo skuadër më ka dhënë shumë mundësi të arta dhe unë do jap gjithçka për t’ia shpërblyer”, përfundoi Kutrone.