Ndriçim Shtubina ka qenë një ndër lojtarët më të mirë të Laçit gjatë këtij sezoni. Futbollisti shkodran ishte i ftuar në emisionin “Sport News Plus” në “News 24”, ku foli mbi formën e mirë që po kalon ekipi tij.
“Skuadra ka marrë formën që duhet, atë formë që duhet ta kishim marrë me kohë, por futbolli kështu është. Jemi afruar afër kreut, por nuk ka mbaruar asnjë gjë. Me një humbje mund të largohemi shumë shpejt. Kemi cilësi dhe jemi të motivuar. Të qëndrojmë me këmbë në tokë e të shohim përpara”.
“Besoj se është rikthyer entuziazmi edhe tek ne. Kishim disa javë që merrnim vetëm barazime, kjo javë foli për Laçin. Tani kampionati është bërë shumë i fortë. Çdo skuadër duhet të bëjë shumë kujdes, pasi një humbje të kushton shumë”.
KUKËSI – “Duhet të përfitojmë nga kjo situatë. Kukësi vjen nga një humbje dhe trajneri i tyre është shkarkuar. Është një ndeshje vendimtare për ne. Kukësi është një skuadër me lojtarë cilësorë që janë të aftë të të godasin në çdo moment. Duhet të tregohemi shumë vigjilentë. Nëse na përmendet objektivi ne fillojmë e trembemi (qesh)”.
TITULLI ÇËSHTJE E MBYLLUR ? – “Besoj që po. Partizani e ka treguar se e meriton ta fitojë kampionatin. Ka qenë skuadra më e mirë, kanë marrë më shumë fitore se kushdo tjetër. Nuk e pashë ndeshjen ndaj Luftëtarit, por nga kronika shikoj që nuk kanë krijuar shumë raste. Ndoshta ka të bëjë motivimi arsyeja kryesore, ndoshta e kanë marrë ndeshjen lehtë. Gjithsesi meritat i takojnë Luftëtarit. Të shënosh tre gola nuk është pak”.
TIRANA – “Tirana çdo ditë është marrë me: Laçi po na godet! Laçi po na bën presion etj. Gjëra që nuk janë të vërteta. Nuk është më dhënë mundësia të flas më përpara për sherrin. Presidenti jonë thjesht po debatonte me arbitrin. Po na bëjnë gogol. Ai rast na motivoi më shumë dhe kjo u pa në ndeshjen e kthimit ku na penalizuan dy gabime. Unë nuk i uroj asnjë skuadre rënien. Por nga renditja rrezikojnë. Kastrioti po fiton dhe presioni do t’i shoqërojë deri ne fund. Gjithsesi, mund të them se ata luajnë një futboll të mirë”.