Majkëll Ngo ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë javëve të fundit, pasi sulmuesi anglez i Tiranës nuk ngurron asnjëherë të bëhet protagonist. Si brenda fushave, ashtu dhe jashtë saj, Ngo vazhdon të lëshojë “thumba” kundrejt rivalëve, por dhe kundrejt skuadrës së tij. Pas sherrit me presidentin e Laçit, Pashk Laska, anglezi është sërish në qendër të vëmendjes.
Sulmuesi ka postuar një foto në Instagramin e tij zyrtar, ku ka qenë duke ndjekur takimin mes Laçit dhe Tiranës, fituar nga kurbinasit 2-0. Përveç fotos, Ngo shkroi: “Kjo skuadër më rrit ndjeshëm presionin e gjakut”, duke treguar se ka qenë i nervozuar për fatet e kualifikimit.
Përveç komentit të tij për kualifikimin në Kupë, Ngo dha dhe një lajm të mirë për tifozët e Tiranës, pasi konfirmoi që rikuperimi po shkon me sukses dhe do të rikthehet shumë shpejt në fushat e lojës: “Javën tjetër rikthehem të vrapoj. Koha e Zotit”.