Polemikat për ngjarjen e papranueshme që ndodhi mbrëmë mes tifozëve të Kaljarit dhe sulmuesit të Juventusit Moise Ken duket se nuk kanë të mbaruar. Kujtojmë se lojtari u drejtua tek tifozët kundërshtarë pas golit që shënoi dhe menjëherë drejt tij vërshuan kore raciste e pasthirrma si të një majmuni. Rahem Stërling, Pol Pogba dhe Memfis Depai kanë reaguar ashpër në rrjetet sociale.
Ndërkohë sulmuesi i Mançester Sitit e ka me deklaratën e Bonuçit pas ndeshjes. Mbrojtësi i bardhezinjve u shpreh se një pjesë të fajit e kishte edhe Kean duke e ndarë në 50-50. Nuk është aspak dakord Stërling dhe i drejtohet direkt Leos: “Faji është 50-50 Bonuçi? E vetmja gjë që mund të bësh është të qeshësh.”
Ndërsa Pol Pogba dhe Depaj e kanë me tifozët dhe bëjnë thirrje për ta luftuar këtë fenomen që vetëm e bën pis futbollin dhe jo vetëm. “Unë mbështes çdo luftë kundër racizmit. Jemi të gjithë të barabartë.”, shprehet Pogba. I ngjashëm është edhe postimi i holandezit, i cili shkruan: “Duhet të flasim. Jemi të barabartë.”