Moize Kin është ndër talentët e fundit italianë që ka shpërthyer. Sulmuesi i Juventusit po shijon një moment fantastik, pavarësisht minutave të pakta që po merr në dispozicion. Roberto Mançini vendosi t’i dhurojë një fanellë titullari 19-vjeçarit në ndeshjen e parë të eliminatoreve Euro 2020 kundër Finlandës.
Kin nuk zhgënjeu dhe shënoi golin e dytë, duke vulosur fitoren e të kaltërve. Agjenti i tij është Mino Rajola. Në një prononcim për “Corriere dello Sport”, ai insiston se lojtari me origjinë nga Bregu i Fildishtë duhet të luajë gjithmonë, ndërsa zbulon se Kin ishte një hap larg kalimit te Milani në merkaton e janarit. Kontrata me Juven i përfundon në vitin 2020, por akoma nuk ka lëvizje për rinovimin e talentit të repartit ofensiv.
“Ka vlerësime të ndryshme për t’u bërë. Djaloshi duhet të luajë gjithmonë. Duhej ta transferoja te Milani në janar. Kisha mbyllur gjithçka me Leonardon, por Juventusi ishte kundër kësaj lëvizje. Për momentin nuk ka asnjë lëvizje sa i përket rinovimit të tij. Kin ka detyrimin për të luajtur gjithmonë”, përfundoi agjenti i famshëm.