VIDEO | Anulohet goli i vitit në Itali, rast i ngjashëm edhe në Superiore

Kaljari mposhti Fiorentinën me rezultatin 2-1, duke siguruar tre pikë të rëndësishme për mbijetesën. Pjesa e parë dhuroi vetëm emocionet e minutës së 13-të. Të dy tifozëritë dhe lojtarët në fushë filluan një duartrokitje të gjatë për Davide Astorin, i cili ka luajtur me të dy ekipet.

Golat ishin ruajtur për pjesën e dytë, aty ku është anuluar edhe goli më i bukur i sezonit në Serie A, por jo vetëm. Ishte minuta e 56-të dhe ekipi sard sapo kishte kaluar në avantazh para dy minutash.

Fiorentina zhvillon një sulm, por një lojtar i ekipit të Piolit përfundon në pozicion jashtë loje. Luka Cigarini sheh portierin mik jashtë porte dhe nga 50 metra lëshon një goditje fantastike. Topi në rrjetë, tifozët në delir, ndërsa arbitri e anulon!

Shkaku? Rregullorja e përcakton qartë. Kur akordohet një pozicion jashtë loje për një ekip, arbitri jep një goditje dënimi indirekte nga aty ku ka ndodhur pozicioni jashtë loje. Mesfushori i Kaljarit goditi portën dhe në këtë rast futet në lojë rregulli tjetër.

Kur goditja e dënimit indirekte shkelmohet direkt në portë, atëherë jepet rivënie fundore për ekipin tjetër (Fiorentinën). Fatkeqësisht për Cigarinin, i cili shënoi një perlë të vërtetë, por arbitri ka vepruar saktë duke anuluar golin.

Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në Superiore. Ishte viti 2013 dhe në Gjirokastër luhej ndeshja Luftëtari-Laçi. Miqtë fituan me rezultatin 3-0, por arbitri vendos të anulojë një eurogol për ekipin kurbinas. Stipe Buljan, ish-mbrojtësi kroat dhe kapiteni i bardhezinjve, shënoi një gol fantastik nga shumë larg.

Kryesori vendos ta anulojë dhe në stadium ka ilaritet. Shkaku? Arbitri kishte vendosur goditje indirekte, ndërsa lojtari i Laçit kërkoi dhe gjeti portën, por fatkeqësisht si në rastin e Cigarinit, ai gol u anulua.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *