Trajneri i Laçit, Besnik Prenga, u shpreh mjaft i mërzitur në intervistën me emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”. Tekniku i kurbinasve tha se skuadra e tij nuk po luan prej kohësh futboll dhe për këtë mori dhe përgjegjësitë e tij.
NDESHJA – “Nuk mendoj se e kisha përgatitur ndeshjen për të pritur Tiranën. Nuk është problemi te taktikat, por kemi kohë që nuk luajmë futboll. Deri më sot nuk kemi pësuar humbje të tilla, pasi kemi bërë diçka, kemi luftuar për topin e parë. Sot nuk bëmë asgjë. Dua të uroj Tiranën dhe shpresoj që ta fitoje Kupën. Nuk duhet të gënjejmë veten, pasi luajtëm kundër një ekipi shumë më të mirë te në. Ka 4-5 javë që po shpëtojmë kot. Fituam kundër Partizanit, që as unë vetë nuk e di si fituam. Ndeshja u fitua nga Tirana me shumë meritë”.
KUALIFIKIMI – “Unë me sportivitet nuk dorëzohem, ne jemi sportistë. Megjithatë, nëse nuk luajmë, nëse nuk vrapojmë, jemi shumë larg. Sot u dukëm si një ekip veteranësh, nuk e kuptoja. Sot nuk bëhej fjalë as për taktikë, as për hapje, lëvizje, organizim. Ne thjesht presim që minutat të kalojnë”.
SITUATA – “Unë kam një kohë të gjatë këtu dhe ndeshjet e dobëta që kemi bërë nuk janë vënë shumë re, pasi kanë gabuar dhe kundërshtarët. Ne kemi bërë vetëm 2-3 ndeshje të mira, ndeshjet tjera janë “luftë” dhe jo ndeshje futbolli. Nuk e dimë çfarë duhet të bëjmë dhe pas ndeshjes nuk e dimë çfarë kemi bërë. Përgjegjësia është e imja, pasi po punoj prej një kohe shumë të gjatë. Në janar, duhet të bënim zgjedhja më të mira. Jo vetëm që nuk e kemi përforcuar ekipin, por e kemi dobësuar. Këtë humbje e meritonim me kohë”.
LOJTARËT – “Siç jam kritik sa i takon ndeshjes, ashtu jam dhe në stërvitje. Këta janë çuna të mrekullueshëm që të dëgjojnë, por tjetër gjë është stërvitja, tjetër gjë është ndeshja. Dikush duhet të bëjë diçka më shumë se të tjerët dhe ne jemi munduar të gjejmë kush është ai, por momentalisht ne nuk jemi ekip që të luajmë në sulm. Kjo është gjendja jonë, ndaj është shumë e rëndësishme që të gjithë ne ta kuptojmë që duhet të nxjerrim jo vetëm djersë, por dhe gjak që të jemi të suksesshëm”.
VAZHDIMËSIA – “Unë jo më kot i kam rënë këmbanave para shtatë javëve. Duhet të bëjmë të pamundurën që të bëjmë diçka. Kemi që nga janari që po përpiqemi që të ndryshojmë diçka, por nuk ia kam arritur qëllimit. Edhe ndeshjet që i kemi fituar, nuk kanë qenë ndeshje që na kanë kënaqur. I pari që kam dështuar kam qenë unë. Kupa ishte diçka që mund të na kënaqte, por dhe këtu dështuam. Nesër duhet të mblidhemi të gjithë bashkë dhe të vihemi në shërbim të klubit”, u shpreh Prenga.