Tomas Tuhel ka folur para gazetarëve në daljen për shtyp që i paraprin takimit të nesërm ndaj Mançester Junajtid. Trajneri i kampionëve të Francës ka theksuar se skuadrës e tij duhet të tregojë të njëjtën paraqitje si në ndeshjen e parë, ndërsa bëri dhe një koment interesant në lidhje me fitimin e trofeut e Champions-it.
KUNDËRSHTARI – “Junajtid preferon të luajë me skemë 4 – 4 – 2. Dy sulmuesit e tyre, Rashford dhe Lukaku janë të fuqishëm e të shpejtë. Duhet ta kontrollojmë lojën në mënyrë që të mos u lëmë mundësi për të na ndëshkuar në kundërsulm”.
KAVANI DHE MBAPE – “Mbape është njëri ndër sulmuesit më të mirë në qarkullim për momentin. Është ende shumë i ri, por është ndër më mirët në botë. Çfarë mund të thuash më fund. Është një lojtar shumë i rrezikshëm në metrat e fundit. Me shpejtësinë që ka është makth për çdo mbrojtës. Është një finalizuar brilant i aftë të gjejë hapësira në mbrojtjet e kundërshtarëve. Gjendja e Kavanit? Ai u stërvite me ne dje dhe sot, por vendimin final do e marr ditën e nesërme”.
SOLSKJAER – “E ka treguar në shumë raste sa i rëndësishëm është për skuadrën. Çdo lojtar tani është i motivuar dhe ka shpirtin e garës që ka karakterizuar përherë Mançester Junajtid. Me Solskjaer në krye ata vetëm po fitojnë në çdo kompeticion që luajnë. Është një sfidë e madhe për ne dhe shpresoj që të bëjmë të njëjtën gjë që bëmë në takimin e parë”.
TROFEU – “Nuk është nevoja të flasim për trofeun e Champions-it. Nuk e kemi fituar ndonjëherë Champions-in, madje s’kemi shkuar as në finale. Për këtë arsye është njësoj si tenis. Nëse nuk e fiton turneun e “Roland Garros” nuk mund të jesh favorit. Duhet të tregosh se je i aftë. Më e mira që mund të bëjmë është të tregojmë se mund të luajmë si në “Old Trafford”. Junajtid vetëm po fitonte në ato momente dhe ne i mundëm dhe kjo tregon shumë”, përfundoi Tuhel