Joakim Lëv dhe menaxheri i kombëtares gjermane Olivier Bierhof udhëtuan sot drejt Mynihut për t’i komunikuar një vendim ekzemplar tre figurave që kanë dhënë shumë për katër herë kampionët e botës. Cili është vendimi? Mats Humels, Zherom Boateng dhe Tomas Myler s’do të jenë më pjesë e Gjermanisë.
Në një dalje për shtyp, Lëv shpjegoi se ky vendim vjen si pasojë e një strategjie për t’i hapur rrugën brezit të ri në skuadër dhe në fund i falënderoi të tre lojtarët për kontributin e tyre.
“2019-ta është viti që sinjalizon një fillim të ri për kombëtaren e Gjermanisë. Duam të vazhdojmë me planin e ndryshimeve që vazhduam gjatë fundit të vitit të kaluar. Boateng, Humels dhe Myler nuk do të jenë më në skuadër. Erdha sot në Mynih për t’ia komunikuar atyre personalisht këtë gjë”, tha gjermani para mediave.
“Ata mbeten lojtarë klasi, të cilët janë liderë te klubet e tyre. Janë futbollistë të mëdhenj, që kanë luajtur për një kohë të gjatë për kombëtaren gjermane. Kanë kaluar shumë vite më ne. I falënderoj për vitet e paharrueshme që kaluam së bashku”.
“Është koha që të vëmë bazat për të ardhmen. Duam t’i japim skuadrës një fytyrë të re. Jam i bindur se ky është vendimi i duhur. Po jap një sinjal të qartë për rinovimin e skuadrës. Lojtarët e rinj do të kenë hapësira që të përmirësohen. Ata duhet të marrin përsipër përgjegjësitë që të jep fanella e kombëtares”, përfundoi Lëv.