Mesfushori i Kastriotit, Arlind Kalaja ka folur për “Supersport” para ndeshjes së fundjavës përballë La5it, ku tha se kampionati nuk ka mbaruar dhe Kastrioti nuk mund të quhet i rënë nga Kategoria. Mes të tjerash, 23-vjeçari foli edhe për ambientimin e tij te skuadra krutane, ku u transferua gjatë muajit janar.
AMBIENTIMI – “Këtu jam pritur shumë mirë dhe jam habitur me ambientin që kam gjetur këtu. Janë të gjithë çuna të rinj që punojnë me dëshirë, trajneri ka krijuar një atmosferë shumë të mirë dhe më pëlqen realisht shumë”.
SITUATA – “Të gjithë e konsideronin Kastriotin si të rënë nga Kategoria, por ka ndryshuar komplet rrjedha e ngjarjeve pas rezultateve të fundit. Skuadra ka uri dhe kërkon maksimumin në çdo ndeshje”.
LAÇI – “Është një ndeshje e vështirë dhe e dimë futbollin që ka Laçi, agresiv dhe shumë cilësor. Por ne do futemi në këtë ndeshje për të marrë maksimumin dhe kemi besim se do të dalim me sukses”.
MBIJETESA – “Normalisht është një objektiv shumë i vështirë. Nuk jemi të rënë nga Kategoria, për ne nuk ka mbaruar asgjë. Është diçka pozitive që kemi marrë tre fitore në katër ndeshje, por nuk ka mbaruar asgjë dhe të vazhdojmë kështu”,- përfundoi Kalaja.