Trajneri i PSG-së, Tomas Tuhel ka mbrojtur lojtarin e tij, Angel Di Maria, si dhe i ka thurur elozhe paraqitjes së këtij të fundit në sfidën përballë Mançester Junajtid. Sipas gjermanit, argjentinasi nuk ndikohet nga ofendimet dhe vërshëllimat, por këto gjëra e bëjnë edhe më të fortë. Për Di Marian, Tuhel tha:
“Di Maria është shumë kompetitiv. Ashtu si të gjithë lojtarët e tjerë që janë nga Amerika e Jugut. Tifozët e Junajtid u munduan ta ngacmonin që të ndikonin në paraqitjen e tij, por kjo gjë e bëri më të fortë. Në fillim, ishte disi jashtë skemave, gjë normale duke parë pritjen që i bënë, por më pas mori skuadrën para dhe bëri një ndeshje të shkëlqyer.
Nuk e di nëse unë kam ndikuar në paraqitjen e tij, pasi po humbiste disa topa të thjeshtë kur luante në krahun ku ishin pankinat, por loja dhe niveli i tij u rritën ndjeshëm me kalimin e minutave dhe vendosa të mos e zëvendësoj. Bëri një punë të jashtëzakonshme dhe jam shumë i lumtur për këtë”,- përfundoi Tuhel.