Bruno Telushi ishte një ndër protagonistët e takimit midis Partizanit dhe Kastriotit. Mesfushori vlonjate zhbllokoi takimin me një goditje fantastike me të majtën, që është këmba e tij e vogël. Në përfundim të ndeshjes, futbollisti i Partizanit foli për emision “gol pas goli” në Supersport.
GOLI – “I shënova Devollit edhe kur drejtonte Kamzën në fillim të sezonit? Më tha edhe ai pas ndeshjes, “m’u bëre ferrë”. Për sa i përket golit, unë gjuaj mirë edhe me të majtën, nuk e kam problem kur gjuaj. Duhej pak fat, natyrisht, jam i lumtur për golin dhe sidomos fitoren”.
“Ndihem mirë për faktin që fiton ekipi, së pari. Golat e mi janë me vlerë vetëm nëse sjellin pikë, nëse do shënoja shumë gola në humbje nuk do kishte asnjë vlerë”.
GOLASHËNUES I KAMPIONATIT – “Do ishte një kënaqësi, por janë sulmuesit ata që duhet të shënojnë më shumë dhe janë shumë më afër portës sesa unë, ndaj e shoh të vështirë të garoj për kreun e golashënuesve”.
KOLEGËT NË MESFUSHË – “Unë ndihem mirë me të gjithë, por Hila është i preferuari, sepse kemi luajtur bashkë gjatë fazave të para. Megjithatë, edhe Atanda e Kote kanë bërë shumë mirë dhe më kanë ndihmuar shumë kur kanë luajtur krah meje në mesfushë”.
GOLAT NGA DISTANCA – “Të them të drejtën, nuk e dija fare sa gola kam shënuar në Superiore deri tani, edhe për faktin se nuk më intereson shumë goli, ai është prioritet i sulmit. Nuk e kam të lehtë të depërtoj në zonë e të shënoj gola të thjeshtë, ndaj detyrohem e gjuaj nga distanca dhe dalin gola si ai sot”.
VENDI I PARË – “Nuk kam qenë asnjëherë më parë kaq gjatë në vendin e parë, është emocionuese dhe ndihesh super”,- u shpreh Telushi.