Luftëtari do të përballet në transfertë me ekipin e Laçit, një sfidë shumë e rëndësishme për bluzinjtë. Skuadra e Ahmatajt është përforcuar me një afrim dhe me disa rikthime nga dëmtimet dhe pezullimet.
Dimitris Kotsonis është zyrtarisht futbollist i Luftëtarit. Me anë të një njoftimi në Instagram, klubi ka zyrtarizuar firmën me futbollistin grek. Po ashtu, në dispozicion për Ahmatajn do të jenë dhe Maldin Ymeraj, që është rikthyer nga dëmtimi, si dhe kapiteni Ramadani, që do të rikthehet në fushë pas pezullimit.
Njoftimi i klubit të Luftëtarit
Klubi njofton arritjen e marrëveshjes me lojtarin Dimitris Kotsonis. Qendërmbrojtësi nga Greqia është një tjetër përforcim për ekipin,pasi ka arritur akordin me drejtuesit tanë. Kotsonis ka luajtur për ekipe të njohura në Greqi, si Pas Lamia, Apollon Smyrnis, Paniliakos, Aris Saloniki, Panachaiki dhe Trikala. Ai pritet të debutojë nesër në ndeshjen kundër Laçit.