Juventusi po shkëlqen në fushë, por dhe jashtë saj. Paratë nuk mungojnë, ndërsa të gjithë tundohen për të luajtur me ekipin e Kristiano Ronaldos. Siç citon “AS”, bardhezinjtë janë vënë në ndjekje të Iskos.
Spanjolli po përjeton një periudhë të vështirë me Realin dhe shkaku kryesor është Santiago Solari. Trajneri argjentinas nuk e konsideron të rëndësishëm lojtarin për skemat e tij dhe Isko ka luajtur me pikatore.
Disa minuta në kampionat kundër Vajadolidit dhe Eibarit, 17 minuta kundër Plzen në Champions dhe në ndeshjen kundër Romës, 26-vjeçari përfundoi në tribunat e stadiumit “Olimpico”.
Ai nuk e duron më një situatë të tillë dhe ka vendosur të largohet. Juventus është gati ta ofrojë në ekip për t’i plotësuar një dëshirë të hershme Alegrit. Isko është një “fiksim” i trajnerit që nga koha kur drejtonte Milanin, por duhet fituar konkurrenca pasi dhe Mançester Junajtid interesohet për të.
Një tjetër emër që preferohet nga Juventus është Federiko Kieza. Ylli i Fiorentinës do të monitorohet nga afër në ndeshjen e radhës, Fiorentina-Juventus dhe drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” do të përfitojnë për të marrë më shumë informacion mbi situatën e tij dhe dëshirën e 21-vjeçarit.