Situata e Adrien Rabiot nuk po gjen zgjidhje prej kohësh. Mesfushorit francez i mbaron kontrata me PSG në qershor, ndërsa marrëveshja për rinovim nuk është arritur. PSG po bën të pamundurën për të bindur lojtarin të rinovojë dhe të qëndrojë në kryeqytetin francez, por ai e ka ndarë mendjen për t’u larguar.
Për shërbimet e 23-vjeçarit interesohen shumë klube, sidomos Interi dhe Juventusi, që kanë nisur një luftë në distancë për lojtarin. Por, lajmet që vijnë nga Spanja nuk janë pozitive për dy klubet italiane. Siç citon “El Mundo”, lojtari e ka vendosur të ardhmen e tij.
Mamaja e Rabiot, njëkohësisht dhe menaxherja e tij, i ka dhënë fjalën Erik Abidalit, drejtorit sportiv të Barcelonës. Katalanasit e ndjekin prej kohësh francezin dhe Abidal ka patur negociata të shumta me mamanë e lojtarit. Familja Rabiot e ka marrë vendimin final më në fund dhe mesfushori pritet të kalojë në verë në Spanjë për të nisur aventurën e tij me Barcelonën.