Sandro Tonali është kryefjala e momentin në futbollin italian. Lojtar i datëlindjes 2000, aktivizohet te Breshia dhe po impresionon nga java në javë. Ekipet më të mëdha të Evropës janë vënë në lëvizje për të dhe po përgatisin ofertat e tyre.
Tonali ka marrë për herë të parë ftesën në kombëtaren italiane, duke u bërë kështu i pari lojtar i vitit 2000 që grumbullohet me axurrët. Nga grumbullimi i kombëtares italiane, mesfushori ka folur për mediat, duke u shprehur i lumtur për ftesën e marrë, si dhe ka zbuluar trajnerin që i pëlqen.
GRUMBULLIMI NË KOMBËTARE – “Ndihem shumë krenar që jam lojtari i parë i vitit 2000 që grumbullohem me kombëtaren. Shokët e skuadrës po më bëjnë të ndihem sa më rehat. Është ëndrra e çdo fëmije që një ditë të jetë këtu”.
ZËRAT E MERKATOS – “Përpiqem mos t’i dëgjoj, është gjëja më e mirë. Nuk dua t’i fus në kokë vetes këto mendime. Vendosa të qëndroj te Breshia dhe kam bërë zgjedhjen e duhur, pasi është shumë e vështirë që të luash në kampionatet më të mira në Evropë në moshën 17-vjeçare”.
MODELI – “Si fillim frymëzohesha nga Pirlo, por nuk është se e shoh shumë te vetja, përveç modelit të flokëve. Gatuzo është si një model, nga ai dua të marrë cinizmin. Jam rritur duke luajtur si mesfushor qendre, por tani luaj përpara mbrojtjes. Qëllimi im është të fitoj, në Itali apo jashtë vendit pak rëndësi ka”, përfundoi fjalët e tij 18-vjeçari Tonali.