Interi kërkon të përforcohet në çdo sektor dhe i shënjestruari për në janar është Xhuzepe Marota. I larguar nga Juventusi, ish-menaxheri i përgjithshëm ka një ofertë nga zikaltrit. “Suning” besojnë se me të në “bord” Interi do bënte lëvizje të mira në merkato.
Gjërat janë serioze dhe në Itali raportohet se ka edhe një akord mes palëve për të nisur bashkëpunimin. Pritet që Marota të nisë nga puna që në janar, kur Interi edhe do të futet në merkato për të bërë ndonjë lëvizje “big”.
SHKRINIAR – Mbrojtësi sllovak është një nga ma të mirët e Interit, ndaj edhe ofertat për të nga klubet më të mëdha në Europë janë të pashmangshme. Futbollisti 23-vjeçar është një nga objektivat e Mançester Junajtid.
Murinjo e deshi mbrojtësin edhe në verë, por Interi nuk heq dorë fort kollaj. I blerë për 27 milionë euro nga Sampdoria, sot Milan Shkriniar vlen trefish më shumë. Veç Junajtid, për të interesohet edhe Mançester Siti.
Interi po mundohet ta bindë mbrojtësin për të nënshkruar kontratë të re, por deri më tani nuk ka një marrëveshje. Kontrata e Shkriniar është e vlefshme deri në qershor të vitit 2022.