VIDEO | Barça rimerr kreun, por vëmendja është e gjitha te Mesi

Barcelona rigjen fitoren në La Liga duke mposhtur Sevijan në “Camp Nou”, me shifrat 4-2. Një triumf i katalanasve, që i ngjit tashmë në vendin e parë me 18 pikë. Gjithsesi, gëzimi i ekipit të Valverdes u prish nga dëmtimi i kapitenit Leo Mesit. Argjentinasi la fushën e lojës pas vetëm 16 minutave të luajtura dhe me shumë gjasa do të mungojë në El Clasico.

Sfida nisi me gol për blaugranat, teksa Mesi shpiku një asist për Kutinjon, i cili nuk gaboi, ku me një goditje preçize mposhti portierin Vaçklik, pas vetëm tre minutash lojë. Më pas, ishte momenti i Leo Mesit, i cili me një aksion individual depërtoi drejt qendrës dhe me një goditje me të majtën i çoi shifrat në 2-0. Pas dëmtimit të 31-vjeçarit, ritmi i Barçës ra disi dhe pjesa e parë u mbyll me të njëjtat shifra.

Në pjesën e dytë Sevija erdhi me një fytyrë tjetër, teksa pati disa raste për të rihapur sfidën, por Ter Stegen dukej i pakalueshëm. Pas rasteve të shpërdoruara nga miqtë, ishte Suarez, i cili shndërroi në gol një penallti të fituar nga vetë ai. Sarabia shkurtoi diferencën për andaluzianët, përpara se Rakitiç të shënonte të katërtin për Barcelonën. Muriel në minutën e 91-të shënoi një gol që vlen vetëm për statistikë, pasi ndeshja u mbyll me shifrat 4-2.

https://www.youtube.com/watch?v=Z4mN2sNmQ7k

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *