“FlopEtegui”, tërbohen tifozët e Realit! Dy emra për ta pasuar

Humbja me Levanten konfirmoi krizën e Realit të Madridit. “Los Blancos” pësuan disfatën e tretë me radhë dhe nuk fitojnë prej 22 shtatorit, por edhe pse mendohet se është në prag shkarkimi, trajneri Lopetegui nuk e mendon largimin.

“Duhet të ulemi dhe të gjejmë arsyen përse po gabojmë. Krijojmë volum loje, por nuk arrijmë të shënojmë. Me pak fjalë duhet të këmbëngulim te puna që po bëjmë dhe te mos shqetësohemi. Për mendimin tim, skuadra sot dha shumë sinjale të mira. Pozicioni im? Kjo është gjëja e fundit që më vjen në mendje”, tha Lopetegui.

Trajneri beson se humbja 2-1 nuk e përligji lojën dhe mbetet i përqendruar në ndeshjen e radhës, të martën në Champions League ndaj Viktoria Plzen. Në “Bernabeu” fitorja do të jetë detyrim.

“Mendoj që duhej të kishim fituar ndaj Levantes, por në futboll nuk mjafton vetëm loja, pasi në fund triumfon ai që shënon më tepër. Lojtarët e mi nuk e meritojnë një ndëshkim të tillë, tani duhet të rikuperohen pasi na pret ndeshja në Champions League”.

TËRBIMI DHE ALTERNATIVAT – “FLOPETEGUI”, kështu po e quajnë tifozët e Realit të Madridit trajnerin e tyre pas humbjes së sotme. Shifrat janë kundër tij dhe tashmë Florentino Perez duhet të mendohet mirë se çfarë do të bëjë.

Reali shkon në “El Classiço” në një moment mjaft të keq, ndërkohë që edhe gjetja e golit është një tjetër problem më vete. Nga Spanja raportohet se Perez në orët në vijim do të vendosë për të ardhmen e Lopeteguit. Dy janë alternativat: Antonio Konte dhe Santiago Solari.

Me të parin bisedimet kanë nisur prej kohësh, por problem është kontrata që italiani ka me Çelsin. Zgjidhja tjetër është në shtëpi, pikërisht me Solarin. Ai e njeh mirë ambientin, pasi prej vitesh punon me moshat dhe momentalisht drejton ekipin e dytë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *