Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, foli para gazetarëve në konferencën për shtyp që i paraprin takimit ndaj Totenhemit. Tekniku bask tha se ka besim se skuadra që ai drejton do ta hedhë pas krahëve momentin e keq që po kalon dhe se ka besim që djemtë e tij do të zhvillojnë një ndeshje të madhe.
RIVALI – “Mendoj se do të japin gjithçka për të fituar ndeshjen. Ata kanë shumë dëmtime, por dhe ne kemi disa mungesa. Totenhemi është një skuadër shumë e balancuar, të gjitha repartet e tyrë janë të mbushura me lojtarë të një niveli të lartë. Pres një ndeshje të fortë dhe të vështirë, por them se do të jetë një ndeshje e bukur për t’u parë. Shpresoj që të jetë një ndeshje e madhe.
ECURIA E DOBËT– “Javën e kaluar nuk morëm rezultatet që dëshironim. Tani duhet të mendojmë si të përmirësohemi, ka qenë një javë e rëndë për të gjithë ne, por jam i bindur se nesër do të bëjmë një ndeshje të madhe”
KEJN – “Ai është një lojtar shumë i rrezikshëm. Do të na vërë në vështirësi, pasi kemi të bëjmë me një sulmues që luan mirë me topin, është i zgjuar në lëvizje dhe gjuan mirë si më këmbë dhe me kokë”.