Esat Mala, mesfushori i Partizanit, ishte përzgjedhur sot për të dalë para mediave. Edhe pse i ri, djaloshi nga Prizreni është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm te kryeqytetasit.
Trajneri Gega e përdor kudo në fushë, por për të nuk është aspak problem: “Për mua është me rëndësi është që të jem në fushë. Unë luaj aty vendos profesori dhe unë mundohem të jap më të mirën”.
Mala nuk është nga ata që u shmanget përgjegjësive: “Normalisht kur luan ke përgjegjësi, nuk ka rëndësi mosha. Çdo lëvizje që e bën duhet ta bësh me përgjegjësi dhe vlerësim maksimal. Respektoj çdo minutë që më jepet dhe mundohem të jap më të mirë”.
Më tej mesfushori thekson se mbështetja e tifozëve do të jetë një plus për ta. “Rikthimi i tifozëve nuk na vendos aspak në presion. Është një motiv shumë për ne, pasi gjithmonë kanë qenë pranë nesh dhe vazhdojnë të jenë”, shtoi mesfushori, i cili kërkon tre pikur ndaj Flamurtarit.
“Ky Partizan ka një grup të mirë, të gjithë djemtë janë të bashkuar. Ka harmoni. Në çdo ndeshje futemi për tre pikët, ky është objektivi ynë çdo ndeshje”, thotë Mala, i cili është gati të mbulojë Bathën nëse ia kërkon trajneri.
“Mbulimi i ish-kapitenit? Normalisht që po, do të pranoja. Detyrat janë detyra, sidomos kur jepen nga profesori”, përfundoi Esat Mala.