Skënderbeu luan sot me Partizanin, ndërkohë që në klubin korçar çështja kryesore është ajo me UEFA-n. Gjithçka do të vendoset në CAS dhe korçarët presin që përjashtimi për 10 vite nga kompeticionet evropiane dhe gjoba 1 milion euroshe e vendosur të bjerë poshtë.
Në një lidhje direkte nga hoteli ku po qëndron Skënderbeu, gazetari Gjergji Stefa ka raportuar se gjyqi me UEFA-n në CAS do të zhvillohet në muajin janar. Referuar burimeve pranë klubit të Skënderbeut, ai ka treguar se vetë UEFA vendos se kur do të bëhet gjyqi. Sa i takon një marrëveshje me qeverinë e futbollit evropian, gjithçka hidhet poshtë.
OLAJINKA DHE ALITI – Skënderbeu ka arkëtuar të ardhura të rëndësishme kohët e fundit. Plot 450 mijë euro kanë përfituar korçarët nga shitja e Piter Olajinkës nga Genti te Slavia e Pragës. Bardhekuqtë kishin përqindje të kartonit të sulmuesit dhe kanë përfituar një shumë të majme.
Në janar ndërkohë pritet të ketë sërish transferime jashtë vendit. Fidan Aliti është ai që ka më së shumti shanse për t’u shitur. Ende nuk flitet për pista konkrete, por klubi po punon dhe do mundohet të marrë vendimin më të mirë për ardhmen e lojtarit dhe për vazhdimësinë e rezultateve.