“Zotëria perfekt” Mesi mahnitet në Sevilje: Diçka e tillë nuk më kishte ndodhur kurrë

Leo Mesi ishte ylli i fitores 4-1 që Barcelona arriti në Benito Villamarín kundër Betisit, sepse shënoi 3 gola dhe i dha një tjetër goditje kampionatit, që praktikisht është i katalanasve.

Argjentinasi shënoi një gol fantastik me goditje dënimi, i dyti i ndeshjes, por në minutën e 84-t erdhi momenti kulmor i sfidës, sepse fenomeni i Barcelonës shënoi një gol të pabesueshëm, që detyroi mijëra tifozët e pranishëm që të çoheshin në këmbë dhe të brohorisnin “Mesi, Mesi…!”.

Pas ndeshjes, “Pleshti” foli për televizionin Movistar, duke e pranuar se ka mbetur i befasuar nga ovacionet e tifozëve kundërshtarë: “Të them të vërtetën, nuk e mbaj mend të më ketë ndodhur diçka e tillë në karrierë. U jam mirënjohës të gjithëve. Sa herë luajmë në këtë stadium, na trajtojnë shumë mirë. Jam i lumtur për fitoren, ishte shumë e rëndësishme“.

Në lidhje me golat e ndeshjes, Mesi shprehet: “Nuk e di cili është më i bukuri. Pata fat që shënova, por mbi të gjitha më gëzojnë pikët. E dinim që kishim një shans të artë për t’u shkëputur në renditje dhe nuk mund të gabonim“.

Barcelona kishte shumë vite që nuk zbriste poshtë 50% zotërim topi, por ndodhi në Sevilje: “Betisi është një skuadër që di ta përdorë shumë mirë topin, e nis sulmin që nga portieri i vet. Megjithatë, luajtëm një ndeshje perfekte, edhe pa top ishim shumë të qetë dhe kishim rregull në lojën tonë. Tani gjithçka varet nga ne, titulli është pranë“.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *