VIDEO | Egnatia hap krahun ndaj Besës! Festë në Shkodër e Lushnjë

Besa ka përmbysur Egnatian dhe ka fituar me rezultatin 3-2 në Kavajë. Një ndeshje ku vetëm për futboll nuk mund të flitet, nëse shikon atë që ndodhi në pjesën e dytë. Rrogozhinasit shënuan dy herë me Cankën në pjesën e parë, kurse më pas pati një mungesë të theksuar dëshire të miqve për të luajtur.

Ecje në fushë dhe raste të shumta. Dikson dhe më pas dy herë Albi Çekiçi përmbysën shifrat. Egnatia pati mundësinë të barazonte me anë të një penalltie. Portieri Miraka priti goditjen e Dimos, por arbitri e ktheu sërish 11-metërsh. Goditja e dytë e fierakut ishte si e një portieri në rivënie fundore dhe sigurisht nuk mund të shkonte në rrjetë. 3-2 dhe Bylisi me shumë mundësi do të nisë me akuzat.

Lushnja ka likuiduar Elbasanin dhe ngjitet për momentin në vendin e katërt në klasifikim. Verdhejeshilët triumfuan 3-1 dhe ishte Fatjon Sefa ai që shënoi tre herë për skuadrën vendase. Goli i Nurit për verdheblutë pati vetëm vlera statistikore.

Fitore e rëndësishme edhe për Orikun, që kaloi me sukses Turbinën me shifrat 3-2. Capoj dhe Qejvani shënuan dy herë në pjesën e parë, kur Roshi ngushtoi shifrat në 2-1. Qejvani për vendasit arriti të shënojë edhe golin e tretë, kurse Bakiu në fund vetëm sa i ngushtoi shifrat. Ekipi i Artan Sakajt mori pikët e plota.

GRUPI A – Erzeni ulet me këmbë në tokë, pasi Veleçiku ka marrë hak për Vllazninë ndaj shijakasve. Koplikasit triumfuan me rezultatin 3-1, ndërkohë që nuk mungoi as tensioni në fushën sportive “Reshit Rusi”. Çokaj shënoi në pjesën e parë, që u mbyll 1-0. Xhamalaj barazoi me nisjen e fraksionit të dytë, kurse Toma e Shekaj vulosën fitoren e Veleçikut. Triumf i rëndësishëm për Burrelin, që falë golit të Ajazit me penallti në fillim të takimit, mori tre pikët kundër Korabit.

KATEGORIA E PARË – Java 16
GRUPI A

Sot, datë 9 shkurt 2019
Veleçiku-Erzeni           3-1
Shënues:
Çokaj 22′, Toma 66′, Shekaj 87′ / Xhemalaj 47′
Burreli-Korabi             1-0
Shënues:
Ajazi 11’ (pen.)

GRUPI B
Sot, datë 9 shkurt 2019

Besa-Egnatia               3-2
Shënues:
Dikson 48′, Çekiçi 68′, 70′ / Canka 22’, 44′

Lushnja-Elbasani        3-1
Shënues:
Sefa 18’ (pen.), 62′, 88′ / Nuri 63′
Oriku-Turbina             3-2
Shënues:
Capoj 16’, Qejvani 36′, Nurçe 53′ / Roshi 39′, Bakiu 88′

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *